Në Arenën e madhe të Bullsave të zotët e shtëpisë nuk janë si atëherë, por gjithsesi, ndeshjet atje mbeten imponuese. Për Lebron Xhejmsin emocioni nuk është i tillë, por shqetësimi i madh pas humbjes së tretë radhazi të Klivlendit në sezonin e rregullt të NBA-së. Nuk ishte një katastrofë (105-111), por nuk është normale që një skuadër kampione në fuqi të humbasë tri herë radhazi. “Mbreti” nuk ngurroi aspak t’i tregonte gjërat me emrin e tyre të vërtetë, sidomos duke pasur parasysh pakujdesinë e tij dhe të shokëve, që humbën 18 topa në favor të kundërshtarit.
“Ne duhet të dalim nga muaji i mjaltit, – tha Xhejms, – muaji i mjaltit përfundoi. Kjo shprehje është titulli për shkrimet tuaja të nesërme, ju të gjithë do ta përdorni”. Kavaliers u shpallën kampionë të NBA-së në mënyrën më të pabesueshme verën e kaluar, dhe duket se ende janë nën efektin e atij suksesi, ndaj edhe kapiteni lëshoi kushtrimin. Nuk është për t’u shqetësuar shumë, pasi edhe vjet Klivlendi bëri shumë gabime, por pastaj fitoi titullin. Veçse, Golden Stejti është edhe më e fortë se sezonin e kaluar, ndërsa populli nuk thotë kot “nuk bie daci dy herë në kos”.