Përfundon me humbje “anus horribilis” i Realit, Zidan sheh nga e ardhmja!

Më në fund, përfundoi. Një vit i tmerrshëm, “anus horribilis”, u mbyll për klubin më të madh të botës në futboll, Realin e Madridit, dhe përfundoi ashtu siç e meritonte. Me humbje, madje brenda në “Santiago Bernabeu”, i mposhtur nga Betisi, 0-2.

Me Championsin të siguruar prej kohësh, por pa asnjë trofe të rëndësishëm për të luftuar, Reali thjesht nuk ishte vetvetja, edhe pse prej muajsh drejtohet nga një emër i madh si Zinedin Zidan. Nuk është se nuk pati emra të shquar në fushë. Kejlor Navas, Marselo, Karvahal, Modriç, Benzema apo Vinisius mund të mjaftonin për të shmangur turpin e radhës, veçse, siç tha Zidan më pas, problem ishte motivimi.

Loren Moron dhe Hese shënuan pas pushimit për Betisin, me trajnerin Kike Setien që arriti të fitonte edhe në “Bernabeu”, pasi ia doli në “Kamp Nou”. Me 68 pikë në 38 ndeshje, me vetëm 63 gola të shënuara dhe plot 46 të pësuar, skuadra madrilene i dha fund sezonit më të keq të shekullit të 21-të, dhe njërit nga negativët në gjithë historinë e tij.

“Nuk është se nuk deshëm ta fitonim ndeshjen, – tha trajneri pas humbjes, – nuk ishim në gjendje që të fitonim, është çështje motivimi. Gjëja më e mirë që ndodhi është që sezoni përfundoi dhe mund të mendojmë për të ardhmen. Duhet ta pranojmë këtë edicion kështu siç ndodhi, madje do të na ndihmojë në vazhdim. Gjithsesi, jam i bindur se do të ndryshojmë dhe do të ngrihemi”.

Pyetja është e thjeshtë, e drejtpërdrejtë dhe që të tremb: A do të ketë reagim të shpejtë, sepse vetëm kështu e do tradita e klubit, dhe tifozët e tij të paduruar? E sigurt është që do të ketë ndryshime të mëdha, me mjaft lojtarë të larguar dhe me përforcime të rëndësishme, por kjo nuk garanton sukses që sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al