“Filmi” i paqartësisë u luajt deri në fund, dhe tani, larg syve të publikut do të ndodhë largimi. Tifozët e Çelsit pritën më kot një sinjal besnikërie nga Eden Hazari (që, logjikisht, nuk do të vinte), me yllin belg që sikur i vuri në gjumë me premtimet e tij gjysmake e të vagullta. Papritur, si rrufe në qiell aspak të kaltër, por të vrenjtur, doli lajmi se Reali do të prezantojë Hazarin pas finales së Ligës së Europës, që do të luhet në 29 maj.
“Pazari” pritet të jetë ai që mendohej, pra 100 milionë euro për kartonin, plus shpenzimet për rrogën e numrit 10. Hazar vlerësohet si “guri i themelit” i Realit të ri të Zinedin Zidanit, tashmë që brezi i dytë i galaktikëve iu afrua fundit të ciklit. Pas largimit të Kristiano Ronaldos sezonin e kaluar, do të ikë edhe Garet Bejl, por edhe Kejlor Navas. Të parit, Zidan ia ka bërë të qartë fare hapur, ndërsa portierit iu tha nga klubi se nuk ishte në planet e tij për edicionin tjetër.
Ardhja e 28-vjeçarit Hazar mund të quhet vetëm fillimi i përforcimeve për Realin, pasi flitet shumë për blerje të mëdha, si ato të Nejmarit, Mbapesë apo Pogbasë, si dhe të sulmuesit të Frankfurtit, Luka Joviç.
Sfidanti.al