Liga e Europës, Emeri e Sarri në “parajsë”, por Hazar mbetet “sfinks”!

Historia shkruhet kështu. Për herë të parë në historinë e kupave të Europës, të gjithë finalistët do të jenë nga një vend i vetëm, Anglia. Arsenali e Çelsi u kualifikuan për në ndeshjen fundore të Ligës së Europës, ashtu si Liverpuli e Totenhemi në atë të Championsit. Dy skuadrat londineze kanë mundësi të fitojnë një trofe këtë sezon, ndërsa suksesin e arritën në mënyrë të ndryshme.

“Arritëm një sukses të madh, por fakti është se nuk kemi fituar ende asgjë, – theksoi Emeri, – duhet të luajmë finalen. Gjithsesi, jam krenar për lojtarët e mi. Nuk ishte e lehtë të mundeshin Napoli dhe Valencia. Jam i lumtur për sulmuesit e mi, që na ndihmuan me golat, por edhe me lojën në mbrojtje”.

Çelsi e pati shumë më të vështirë ndaj Frankfurtit. Ndonëse luajti në stadiumin e tij, “Stemford Brixh”, ndonëse kishte barazuar 1-1 në Gjermani, sërish iu deshën 120 minuta, madje edhe penalltitë.

“Mendoj se e merituam finalen, edhe pse ishte shumë e vështirë, – tha Sarri, – Frankfurti është një skuadër e nivelit shumë të lartë. Nuk është e lehtë për ekipet angleze të arrijnë në finalet europiane, pasi këtu luhet më shumë se në vendet e tjera. Ka diferencë të madhe, dhe ritmi është më i lartë. Premier Liga është kampionati më i mirë në botë”.

Penalltia vendimtare u shënua nga ylli belg, Eden Hazar, i cili u pyet nëse finalja do të jetë ndeshja e tij e fundit me fanelën e Çelsit. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë, – u përgjigj belgu, – nëse do të jetë e fundit, do të bëj ç’mos që ta fitojmë, nëse jo, të shohim. E vërteta është se unë nuk po mendoj aspak për këtë gjë”. Finalja e Ligës së Europës, Arsenal-Çelsi do të luhet në Baku të Azerbajxhanit, në 29 maj.

Sfidanti.al