Qenka fundsezoni i gabimeve. Pasi Partizani shpërdoroi me Laçin në kryeqytet, ja ku erdhi edhe radha e Kukësit, që të mos arrinte fitoren ndaj Teutës, në bazën e tij, Kamzë. Barazim 0-0, që e la ekipin e trajnerit Ernest Gjoka në distancë 10-pikëshe nga kreu, ndërsa mbeten edhe 5 ndeshje për t’u luajtur, pra janë në dispozicion edhe nga 15 pikë të mundshme.
Praktikisht, historia e titullit mund të quhet e mbyllur, por e hapur është gara për në Ligën e Europës, ku plot 5 skuadra pretendojnë për dy vende, në pritje të përfundimit edhe të Kupës së Shqipërisë. Kuksianët do të duhet të bëjnë kujdes që të mos rrezikojnë, pasi rivalët nuk janë larg.
Ndaj Teutës, trajneri Gjoka pati vetëm 12 lojtarë në dispozicion, me një numër të madh mungesash për shkak dëmtimi, si edhe me pak më shumë lodhje sesa durrsakët për shkak të ndeshjes së mesjavës në Kupë ndaj Skënderbeut. Kjo prishi punë.
E hapur mbetet edhe gara për mbijetesën, pasi sfida direkte mes Luftëtarit dhe Tiranës u mbyll në barazim 1-1. Ishte një rezultat që nuk i duket aspak i drejtë kryeqytetasve, që bënë lojën dhe patën rastet më të shumta, por që nuk iu shmangën dot problemit të tyre numër 1, shpërdorimit para portës kundërshtare. Në mungesë të sulmuesit kryesor, Ngo, trajneri Mema pati Halilin, por edhe Sentamun, Oduamadin apo Hasanin, autorin e golit.
Tirana e interpretoi mirë lojën, duke qenë agresive këtë herë, ndryshe nga ndeshja e Kupës po në Gjirokastër, kur më shumë u mbrojt. Barazimi mund të quhet rezultat i mirë në një fushë të vështirë si ajo e Luftëtarit, por rreziku i rënies nga kategoria mbetet, pasi Kastrioti ndodhet vetëm tri pikë larg.
Në fundin e tabelës, Luftëtari ka 39 pikë ndaj 37 të Tiranës dhe 34 të krutanëve. Partizani, ndërkaq, udhëheq me 62 pikë ndaj 52 të Kukësit.
Sfidanti.al