Kukësi humb ndeshjen e trajnerin me Kastriotin, Ndreu “gozhdë” në stol!

Një pjesë loje nuk mjafton për të fituar, herë edhe mund të jetë mjaft. Kukësit nuk i bëri punë epërsia në gjysmën e parë të ndeshjes në Fushë Krujë të cilën e humbi, por Kastriotit nuk iu deshën më shumë se 45 minutat e dyta për të fituar. Një sukses 2-1, arritur me forcën e karakterit dhe që ka një efekt të dyfishtë mbi Superligën shqiptare të këtij sezoni. Së pari, kuksianët thuajse e kanë humbur plotësisht titullin, tani në fund të fazës së tretë kur kanë 46 pikë, dhe së dyti, krutanët vazhdojnë të kenë shpresë për të mbijetuar, duke rrezikuar dy ekipe të tjerë, Tiranën dhe Luftëtarin.

Në pjesën e parë, miqtë ishin më lart dhe mund të kishin fituar më shumë se 1-0. Vasil Shkurtaj bëri më në fund atë për të cilën u mor nga Luftëtari, pra shënoi, veçse vetë Shkurtaj dhe Rezhinaldo shpërdoruan gola të tjerë.  Pas pushimit, Kastrioti luajti më mirë e bëri presion, në një fushë të cilën e njeh shumë mirë. Ky presion dha rezultat, pasi fillimisht u barazua rezultati me golin e b brazilianit Rozher. Pasi iu afrua edhe disa herë të tjera portës së Frashësit, ekipi krutan shënoi pikërisht në fund, në minutën e 89-të me anë të Ndrecës.

Humbja i kushtoi stolin trajnerit të Kukësit, Ramadan Ndreu, një krutan, që u akuzua nga vetë klubi i tij se u tregua inaktiv gjatë gjithë ndeshjes. E vërteta është që Ndreu vërtet nuk u ngrit në anjë moment nga stoli, diçka që rrallë mund të ketë ndodhur me ndonjë trajner, dhe që padyshim krijoi dyshime.

Në ndeshjen tjetër, Laçi fitoi habitshëm 5-0 me Teutën, në një ndeshje që pritej të ishte mes pretendentëve.

Gjithsesi, durrsakët e mbajtën vendin e tretë me 43 pikë ndaj 41 të kurbinasve.

Sfidanti.al