Ai është një portugez që nuk harron kurrë, madje shpesh e tepron. Zhoze Murinjo nuk mund ta hiqte aq lehtë nga mendja Pol Pogbanë, dhe e përmendi indirekt, në një seminar për trajnerët në vendin e tij të lindjes, ku ndodhet me pushime. Duke folur përpara auditorit, ish-trajneri i Mançester Junajtidit tregoi për një ish-lojtar të tij të “Old Trafordit”, që i kërkoi të kthehej nga Bërnli në Mançester, jo me autobusin e skuadrës, por me makinën e tij personale, Rolls Rojs, që drejtohej nga një shofer.
“Shkëlqesia e Tij”, – tha Murinjo me tallje, – ma kërkoi këtë para ndeshjes, por unë i thashë se distanca është vetëm 30 kilometra, pra nuk ka kuptim. Nëse do të ishim në Londër, dhe ti do të kishe dashur të qendrojë aty, kështu po, do të ktheheshe me makinën tënde”. “Shkëlqesia e Tij” (nënkupto, Pogbaja) ia kërkoi sërish këtë nder Murinjos pas ndeshjes, dhe meqë ekipi kishte fituar, trajneri bëri një kompromis: “Eja 10 km me autobus, thuaji shoferit të na ndjekë me makinën tënde, dhe pastaj zbrit dhe eja me të”!. Murinjo vazhdoi duke thënë se Rolls Rojsi (i Pogbasë) ishte parkuar që në fillim, pranë autobusit, ndërsa fjala ishte që ai nuk duhej të binte në sy.
Kjo ishte historia e Murinjos, ndonëse Pogba po luan shumë më mirë tani që trajner është Solskjeri. Gjithsesi, vetë Solskjeri pohoi se i kishte hequr vërejtje francezit për fjalët që kishte thënë në media se “do të ishte ëndërr të luaja për Realin”. Nuk dihet nëse Pogba do t’i prishë marrëdhëniet edhe me trajnerin e ri. E vërteta është se lojtarë të tillë shpesh kanë sukses në pretendimet e tyre, pasi klubet gjigandë mezi presin që t’i marrin, mundësisht me çmim më të ulët. Nuk harrohet sjellja që Usman Dembele bëri tek Dortmundi duke braktisur stërvitjen. Pastaj, kur shkojnë tek Reali apo Barcelona, “gjela” të tillë bëhen të urtë, sepse egoizmi i tyre kërkon që ata të luajnë pikërisht aty, ndaj edhe nuk duan t’i prishin punë vetes.
Sfidanti.al