Një ndjenjë pafuqishmërie e shoqëroi trajnerin e Bajernit, Niko Kovaç, në përfundim të ndeshjes së Bundesligës në Frajburg. Barazimi 1-1 e la skuadrën e tij 2 pikë prapa kreut që mbahet tani i vetëm nga Dortmundi, ndërsa ndeshja e të besuarve të tij e la teknikun kroat me kokën dhe duart të varura poshtë.
“Nuk jam vetëm i zhgënjyer, – tha ai, – në konferencën për shtyp, – jam edhe i zemëruar”. Ai nuk i kritikoi hapur lojtarët e tij, por analistët theksuan se Bajerni është shumë i ndjeshëm kur i bëhet presion. Kështu bëri Liverpuli, kështu Leverkuseni dhe kështu Dortmundi në fazën e parë. Të njëjtën gjë, Frajburgu, dhe ky presion e çrregullon plotësisht ofensivën bavareze.
Kovaç, padyshim, ishte i zemëruar me paaftësinë e lojtarëve të tij për të shënuar më shumë se një gol. Bajerni bëri 27 gjuajtje drejt portës, 8 në kuadrat, portieri vendas Shmolov bëri 7 pritje, por Levandovski, Hames Rodrigez, Gnabri, Gorecka apo Tomas Myler patën mundësi të realizonin. Fundjavën e ardhshme vjen “Klasikja” e Bundesligës, Bajern-Dortmund, dhe Niko Kovaç thotë pa rezerva: “Ne duhet ta fitojmë këtë ndeshje”!
Sfidanti.al