Moize Kin, fati e ka lindur me fanelat bardhezi dhe të kaltër

Është një nga heronjtë e rinj të një Italie të pamësuar me lojtarë me ngjyrë në kombëtare. Moize Kin shënoi gol ndaj Finlandës, në ndeshjen e parë eleminatore të Botërorit, dhe duket si një premtim i bërë nga fati. Lindur në Verçeli, në Itali, ai nisi karrierën tek Juventusi kur ishte 10 vjeç, ndërsa me Italinë e filloi në moshën 15-vjeçare, kuptohet në seleksionet e moshave.

Kin padyshim që është një nga simbolet e Italisë së re, e brezit që kërkon të lerë pas turpërimin e moskualifikimit për në finalet e Botërorit. “Jam ende shumë i ri dhe po mësoj, sidomos nga Kristiano (Ronaldo), – shprehet adoleshenti, – tek Juventusi, apo tek Italia, luaj ku të më vendosë trajneri”. Roli i tij normal është qendërsulmues, por Alegri e ka pozicionuar pak më prapa.

Në 2016, ai u bë i pari lojtar i lindur në vitin 2000, që luajti në një nga pesë ligat e mëdha europiane, pasi hyri në fushë për Juventusin në Serinë A. Pas huazimit tek Verona, u kthye dhe në 7 ndeshje ka shënuar 3 gola. Me Italinë, që nga U15 e deri te kombëtarja e madhe, ka shënuar 22 rrjeta në 39 ndeshje. Duket vërtet një njeri i lindur me dy fanela, bardhezi dhe të kaltër.

Sfidanti.al