A mundet që thjesht mungesa e Stefën Kërrit të shkaktojë një “tërmet” të tillë? Golden Stejt Uorriors pësoi një disfatë të turpshme në shtëpi ndaj Dallasit, me shifrat 91-126, pra me 35 pikë diferencë, duke humbur edhe vendin e parë në Konferencën Perëndimore. Edhe pse në fushë ishin yjet e tjerë, Durant, Tompson, Kouzins apo Grin, sërish kampionët u dukën më keq se Klivlendi apo Nju Jorku.
Dallasi u mbështet tek dyshja e tij e veçantë europiane, Luka Donçiç-Dirk Novicki. i pari 19-vjeçar, i dyti që i ka kaluar 40 vite mbi super. Adoleshenti slloven realizoi tripëll dabëllin e gjashtë në sezonin e tij debutues në NBA, me 23 pikë, 11 topa në tabela e 10 asistë, duke shtuar edhe 3 vjedhje topi. Novicki pati 21 pikë, plus 5 topa në tabela e 2 bllokime gjuajtjesh, e gjitha kjo në vetëm 21 minuta lojë.
Trajneri i Golden Stejtit, Stiv Kerr, mendoi të linte pushim sa më gjatë yjet e tij, por këtë bëri edhe ai i Dallasit. Durant luajti 28 minuta, Kouzins më pak se 23, Tompson 26 dhe Grin 25 minuta. Tek Dallasi, Donçiç luajti vetëm 27 minuta.
Sfidanti.al