Shtatë ndeshje pa fitore? Polonia ka “aspirinën” e Milanit, Piontek!

Viti 2018 dhe fillimi i 2019-ës kanë qenë të jashtëzakonshëm për Kristof Piontekun. Sulmuesi polak, në mënyrë të habitshme, po shënon shumë më shpesh në Serinë A sesa në Ekstraklasën polake, ndërsa magjia italiane po ndikon edhe tek forma e tij tek Polonia. Sesa i vlefshëm është Pionteku për kombëtaren, u pa qartë në Vjenë, në ndeshjen e vështirë në fushën e Austrisë.

Edhe pse e nisi si zëvendësues, Pionteku nuk e pati problem që të shënonte golin e vetëm të sfidës në “Ernst Hapel”, në minutën e 69-të. Sulmuesit të Milanit iu deshën vetëm 10 minuta në fushë për të realizuar, dhe rëndësia e golit të tij është shumë e madhe. Jo vetëm sepse Polonia i nisi me fitore jashtë fushe eleminatoret e Europianit, por edhe sepse kishte 7 ndeshje pa fitore.

Piontek ka dy gola në 3 takime për polakët, ndërsa në Itali ka gjithashtu një mesatare të shkëlqyer, me 27 gola në 31 ndeshje për Xhenoan dhe Milanin.

Sfidanti.al