Mehmet Shol dhe Xhovani Trapatoni ishin për disa kohë bashkë tek Bajerni i Mynihut. Futbollisti gjerman dhe trajneri italian patën momentet e tyre të mira dhe të këqija, ndërsa sot, në 80-vjetorin e mjeshtrit të madh të stolit, Shol ka dëshirë të kujtojë dy anekdota, në të vërtetë dy episode reale të ndodhura tek Bajerni.
Shol thotë me të qeshur se nuk ka ndërmend të flasë për konferencën e famshme të shtypit të Trapatonit, për Shtruncin, që u bë legjendë në Gjermani. “Më mirë po tregoj dy ngjarje të tjera, që nuk besoj se njihen nga publiku, – shkruan ai, – një herë, Misteri po na tregonte një video të kundërshtarit tonë në Champions, Goteborgut, dhe po godiste tavolinën e xhamit. Pas pak, tavolina u thye dhe desh e zuri poshtë Trapatonin. Ne nisëm të qeshnim me të madhe, por më shumë se të gjithë qeshi trajneri, ndërsa seanca u ndërpre”.
Rasti i dytë ishte kur Trapatoni po analizonte derbin ndaj TSV 1860 Mynihut, dhe po fliste për lojtarët kundërshtarë. Duke qenë italian, u ngatërrua me emrat dhe Traresin e bëri Travers, Kuçerën e bëri Sherer (presidenti i Bajernit në atë kohë), ndërsa u bë lëmsh tek emri i vështirë Shtërcenhofeker (Stoerzenhofecker). Shol tregon se ai nuk e mbajti dot veten nga e qeshura, madje kjo vazhdoi deri në fund të seancës. Sholi kujton se Trapatoni iu afrua dhe e pyeti: “Mehmet, e di se çfarë duhet të bësh më vonë? Nëse në ndeshje bën edhe gabimin më të vogël, do të të zëvendësoj”.
Mehmet Shol shkruan për “Shport Bildin” se u pendua që e mërziti trajnerin, ndërsa vlerësoi se Trapatoni ishte njerëzor në mënyrë fantastike, i jashtëzakonshëm teknikisht, me përvojë nga gjithçka në futboll, këshilltar i duhur, dhe njeri që e donte sportin dhe sportistët.
Sfidanti.al