Derbi ka nisur si shpesh herë ende pa ardhur dita dhe ora. Tirana-Partizani nuk mund të jetë kurrë një ndeshje e zakonshme dhe provokimin e parë e ka bërë skuadra e kuqe. Mbrojtësi Gëzim Krasniqi nuk u kursye aspak në konferencën për shtyp, duke treguar sipas tij se cili është dallimi mes dy skuadrave. “Partizani ka 4-5 vjet që lufton për titull, ndërsa Tirana ka luajtur vazhdimisht për kupat e Europës, – u shpreh ai, – shpresoj që ky të jetë viti i mbarë dhe ne ta fitojmë më në fund kampionatin”.
Krasniqi u tregua “sypatrembur” lidhur me rrezikshmërinë më të madhe të bardhebluve tani me trajnerin Josa. “Nuk kemi frikë nga skemat e Josës, – tha ai, – ne kemi stilin tonë dhe skemat tona, ndaj mendoj se mund ta fitojmë ndeshjen”. Kjo nuk ishte e gjitha, pasi Krasniqi shtoi edhe se “ne shkojmë në derbi me moral më të lartë pasi vijmë me fitoren ndaj Teutës, ndërsa Tirana nga barazimi”.