FIFA po “noton” në para: Rezervat arrijnë në 2,7 miliardë dollarë!

Federata botërore e futbollit, FIFA, zotëron rezerva të jashtëzakonshme financiare që arrijnë deri në 2,7 miliardë dollarë, ndërkohë që vetëm gjatë ciklit të fundit të Botërorit të Rusisë, vitin e kaluar, “centrali” i futbollit botëror siguroi fitime me vlerë prej 6,4 miliardë “banknotash jeshile”.
Agjencia amerikane e lajmeve, ASPRESS, arriti të siguroi rezultatet financiare të organizatës futbollistike botërore që tregojnë se kriza më e madhe në historinë e FIFA-s tanimë është tejkaluar. Sikurse dihet, më 2015 shpëtheu një skandal i madh korrupsioni financiar, kur u arrestuan afro 10 funksionarë të lartë të saj, ndërkohë që u zëvendësua edhe kreu i FIFA-s, Sep Blater, dhe në krye të saj, më 2016, erdhi Xhani Infantino që, kur e mori përsipër këtë organizëm, ky i fundit ishte “klinikisht i vdekur”.
Por, tani, shifrat më të fundit tregojnë se FIFA ka një buxhet të majmë, gëzon një “shëndet” të plotë, në zhvillim e sipër dhe cilësi kryesore pozitive ka stabilitetin financiar.
Sfidanti.al