Minirevolucion në Formula 1; një pikë ekstra për xhiron më të shpejtë në garë

Ka një minirevolucion në Botërorin e Formula 1; duke nisur nga Cmimi i Madh i Australisë në fundjavën e arddhshme, pilotët mund të përfitojnë një pikë ekstra për xhiron më të shpejtë, por me kushtin që ata duhet të përfundojnë garën në zonën e pikëve të garës.

Modifikimi i kësaj rregulloreje është miratuar nga Këshilli Botëror u FIA, por që të aplikohet duhet që të ratifikohet në mënyrë unanime nga Komisioni i Formula 1, anëtarët e së cilës do të duhet që të shprehin mendimin e tyre nëpërmjet postës elektronike.

Vendimi është marë nga organizimi më i lartë i garave automobilistike pikërisht në Sallonin e Makinave në Gjenevë. Për më tepër ky rregull është edhe një lloj rikthimi në kohë duke qenë se ka qenë në fuqi në vitet 1950-1959. Pika që do të jepet padyshim vlen edhe për klasifikimin e konstruktorëve. Anëtarët e Komisionit të F1 duhet të dërgojnë emailet e tyre me opinionet në lidhje me këtë rregull të ri brenda datës 11 mars, më pas do të bëhet edhe aplikimi i tij

sfidanti.al