Nuk është më pjesë e Juventusit, dhe nuk arriti madje të luante në atë ndeshje, por e kujton shumë mirë. Simone Pepe tregon për mediat italiane se çfarë ndodhi pas finales së Championsit të humbur ndaj Barcelonës në 2015, në “Olimpia Shtadion” të Berlinit.
“Barcelona ishte më e fortë se ne, dhe ishte mësuar të luante në nivele të tilla, – thotë Pepe, – nga skuadra jonë, vetëm tre lojtarë kishin qenë në ato nivele, Pirlo, Tevez dhe Bufoni, për ne të tjerët ishte ëndërr që ta fitonim Championsin me herën e parë”.
“Isha në stol dhe e kuptova se dita pas ndeshjes do të kishte qenë e vështirë, – kujton ai, – lojtarë me përvojë si Tevez apo Pirlo ishin shumë të hidhëruar. Gjithë natën nuk fjetëm gjumë, por vetëm biseduam. Ishte një dramë e vërtetë për të gjithë”. Pepe e ka lënë futbollin në 2017, ndërsa Juvja ende nuk e ka fituar Championsin, që nga mbrëmja e Romës në 1996. Që t’ia dalë këtë vit, duhet kapërcyer pengesa Atletiko dhe humbja 0-2 në Madrid.
Sfidanti.al