Pjesëtari i përfaqësueses gjermane, Bastian Shvainshtajger, në një të ardhme të afërt, do t’ia kursejë vetes “vuajtjet” në “Old Traford”, pasi do të largohet nga Mançester Junajtidi. Trajneri Zhoze Murinjo ia ka bërë atij të qartë se ai nuk do të mbështetet te shërbimet e tij, gjatë periudhës se ardhme, duke mos e lejuar atë, madje, që të stërvitet me ekipin e parë të ManU-së, kështu që futbollist gjerman ka vendosur që ta vazhdojë karrierën e tij në SHBA.
Në fillim të sezonit të ri të MLS-së (Liga amerikane e futbollit), Shvainshtajgeri do të fillojë realizimin e “ëndrrës amerikane” dhe, sikurse paralajmërohet, do të veshë bluzën e ekipit “Çikago Fajer”. Sipas ish-futbollistit të përfaqësueses gjermane, Klaus Augentaler, ai (Shvainshtajgeri) ka rënë dakord me trajnerin e Çikagos, Veljko Paunoviç, që të transferohet, së shpejti, përtej Atlantikut.