Nuk ekziston vetëm sulmi tek Atletiko e Madridit, edhe pse Antuan Grizman nxirret gjithnjë në kopertinë. Sulmuesi shënoi golin e fitores në fushën e Rajo Vajekanos në La Liga, por suksesi nuk do të ishte arritur aspak nëse në fushë nuk do të kishte qenë edhe një tjetër “kolçonero”, pikërisht portieri Oblak. Slloveni bëri 6 pritje të rëndësishme, duke barazuar rekordin e sezonit, vendosur në ndeshjen e tij të madhe në “Bernabeu” ndaj Realit.
Prej kohësh po flitej për kontratën e tij të re (e vjetra skadon në 2021), por ende nuk ishte bërë gjë. Migel Angel Gil dhe agjenti i portierit, Miha Mlakar, gjithsesi, kanë nisur të bisedojnë më seriozisht dhe mendimet e tyre po afrohen. Kjo sepse Atletiko, sipas të gjitha gjasave, pranon t’i japë Oblakut një rrogë të denjë për rëndësinë e tij.
Në përgjithësi, portierët nuk kanë rroga të larta, por ndryshon puna për të tillë si Bufon apo Kasijas, dhe padyshim në këtë kategori hyn edhe Jan Oblak. Paga e tij aktuale është 5 milionë euro në sezon, dhe oferta e Atletikos është që ta rrisë deri në 10 milionë, për ta bërë lojtarin e dytë më të paguar në ekip (pas Grizmanit). Slloveni është teknikisht portieri më i shtrenjtë në botë, me klauzolë 100 milionë euro në kontratë, dhe Atletiko ka premtuar t’ia ulë në marrëveshjen e re.
Sfidanti.al