Yjet e Bajernit si Bitëllsat para udhëtimit për në Liverpul

Ishin katër prej tyre, ndër ikonat kryesore të skuadrës, që vendosën t’u përngjanin katër ikonave më të mëdha muzikore angleze, britanike, dhe me gjasë, edhe botërore. Manuel Nojer, Tomas Myler, Robert Levandovski dhe Mats Humels vendosën paruke flokësh sipas modelit të famshëm të Bitëllsave, përpara se të udhëtonin drejt qytetit të tyre, Liverpulit.

Katërshja bavareze doli në këtë mënyrë në seancën stërvitore, duke shkelur në vija të bardha, për të imituar foton e njërit prej albumeve të Bitëllsave (Ebej Roud – Abbey Road). Në kopertinën e albumit, Xhon Lenoni, Pol Mekartni, Ringo Starri dhe Xhorxh Harrisoni, jepeshin duke kaluar rrugën e famshme tek vijat e bardha.

Bajerni luan të martën në mbrëmje në “Anfild Roud” ndaj Liverpulit të drejtuar nga trajneri gjerman, Jurgen Klop, në sfidën më të madhe të turit të dytë të Championsit.

Sfidanti.al