Bosi i Dortmundit, Vacke, kilet e humbura dhe shpërfillja e Bajernit

Në tribunën VIP të “Signal Iduna Parkut” është ulur që kur stadiumi quhej “Vestfalenshtadion”, dhe gjithnjë është dredhur nga emocionet që i jepnin ndeshjet e Dortmundit. Hans-Joakim Vacke është një nga shefat ekzekutivë më sensibël të futbollit gjerman, dhe ndoshta edhe të atij europian, aq sa i ndjen ndeshjet më shumë sesa futbollistët.

“Në çdo takim unë humbas 1.5 kg, – rrëfen ai për gazetën “Bild”, – kjo sepse trupi im dridhet gjatë gjithë kohës nga emocioni”. Ai nuk e ka problem diçka të tillë, madje thotë se “nëse nuk i përjeton ndeshjet kështu, atëherë je në vendin e gabuar”. Kuptohet, stadiumi nuk është vendi i gabuar për të.

Kulmi arriti në gjysmëfinalen e Championsit, në Madrid ndaj Realit të Murinjos në 2013, kur Dortmundi u kualifikua. Vacke u detyrua t’i kalonte në tualet minutat e fundit sepse nuk po arrinte ta përballonte tensionin e lartë.

Këtë sezon, rival i Dortmundit është një “fytyrë e njohur”, Bajerni dhe Vacke tregon teorinë e tij. “Mërzitja më e madhe për Bajernin është kur e injoron, – shprehet ai, – ka mjaft kohë që unë e bëj këtë gjë, dhe do të vazhdoj ta bëj”.

Sfidanti.al