Golat në “Kamp Nou”, Barça kthehet në Epokën “Van Gal”!

Kur thua Barcelona ke parasysh një ekip që sulmon dhe që mban topin, pra që pëson pak gola. Kjo vlen sidomos kur luhet në “Kamp Nou”. Gjithsesi, këtë sezon, skuadra e trajnerit Ernesto Valverde po përjeton një situatë krejt të pazakonshme, që kishte vite pa ndodhur. Barça ndëshkohet shpesh në fushën e saj, dhe statistikat e gazetës “Marka” tregojnë se bëhet fjalë për 15 gola në 12 ndeshje të La Ligës, një mesatare prej 1.25 për ndeshje.

Alarmi është i madh, edhe pse katalanasit kryesojnë bindshëm renditjen me 6 pikë më shumë sesa Atletiko e Madridit apo 8 më shumë se Reali. Për të gjetur një situatë më të keqe, duhet të kthehemi në sezonin 2002-2003, kur ekipin e drejtonte Luis Van Gali, me 16 gola në 12 ndeshjet e para në shtëpi.

Nuk është thjesht problem trajneri, pasi vjet Barça drejtohej sërish nga Valverde, por pësoi vetëm 11 gola në “Kamp Nou” gjatë gjithë sezonit. Që nga viti 2003, e deri në 2018, katalanasit kishin pësuar gjithnjë më pak se 15 gola në shtëpi, gjatë gjithë sezonit, me përjashtim të një viti me Luis Enriken kur pësuan 17 në 19 sfida në “Kamp Nou”. Është çështje e nivelit të mbrojtjes, që ka pasur shumë dëmtime dhe shumë lëvizje këtë edicion.

Sfidanti.al