Një jetë u shpëtua, por futbolli mbetet i rrezikshëm

Manuel Skavone u godit (padashur) në kokë dhe u rrëzua përtokë sikur t’i kishte rënë rrufeja. Kaq e rëndë ishte goditja kokë më kokë e mesfushorit të Leçes me sulmuesin e Askolit, Xhakomo Bereta, saqë u desh të ndërpritej ndeshja e Serisë B në stadiumin “Via del Mare”. “Ndeshja u shty në një datë që mbetet për t’u vendosur”, informoi klubi në Tuiter.

Gjithsesi, vëmendja nuk ishte tek data tjetër, por tek Skavone, që u shtrua me urgjencë në spital, pasi mori mjekimin urgjent në fushë, duke ardhur në vete. Për fat, nata e frikës kaloi dhe Skavone nuk është e nevojshme të mbetet i shtruar në spital. Në momentin e goditjes, ai pati zvogëlim të ritmit të zemrës dhe një problem në nivel cerebral. “Do të duhen disa ditë që ta marrë veten plotësisht, edhe për shkak të tronditjes psikologjike”, – thotë doktori Pepino Palaia.

Skavone ia hodhi dhe me shumë gjasë do të jetë në fushë, në mos për një javë, të paktën për 2 javë. Gjithsesi, përplasja e fortë e 31-vjeçarit tregoi sërish se edhe futbolli është një sport i rrezikshëm.

Sfidanti.al