Me drejtuesit si “shemra”, si mund të fitojë Championsin, PSG-ja?

Trajneri Tomas Tuhel besohet se është sot një nga njerëzit më të zemëruar në botë. Të paktën, me njërin nga personat brenda Paris SG, drejtorin sportiv, Antero Henrike. Mediat franceze nuk ngurrojnë të thonë se mes tyre gjendja është “e akullt” dhe ata as nuk i flasin njëri-tjetrit (!!!). Si mund të ndodhë kjo në një klub kaq të madh dhe profesionist, dhe sa mund ta dëmtojë PSG-në kur dy njerëz që duhet të bashkëpunojnë, nuk e bëjnë këtë gjë?

Tuheli kërkoi mesfushor qendre dhe sulmues, pas dëmtimit të Marko Verratit, përjashtimit të Adrien Rabiosë dhe dëmtimit të Nejmarit. “Ndryshe, – tha ai, – Championsi nuk mund të fitohet”. Henrike e solli një lojtar që i pëlqeu trajnerit, Leando Paredes nga Zeniti i Shën Peterburgut, për 40 milionë euro.

Gjithsesi, Henrike po bisedonte me Tiago Mendesin (Lilë) dhe Lusiano Akostën (DC Junajtid, SHBA), por trajneri nuk i deshi këta lojtarë, dhe kjo krijoi sërish tensione. Tuhel vendosi të kthente në ekip Rabionë, që u përjashtua për shkak të mosrinovimit të kontratës, por konflikti mbetet.

Mediat shkruajnë se drejtori sportiv nuk ka asnjë mbështetje në klub (!!!), dhe se në verë do të zëvendësohet nga Arsen Venger. Nuk kuptohet, pse zëvendësimi nuk u bë që tani, meqë Henrike nuk ka mbështetje. Në fund të fundit, kur drejtuesit janë bërë si “shemra”, çfarë shansesh ka PSG-ja në Champions?

Sfidanti.al