UFC-ja hedh “nokaut” Nurmagomedovin dhe Makgregorin me 6 muaj pezullim

Habib Nurmagomedovi dhe Konor Makgregori u dënuan nga UFC-ja (Ultimate Fight Championship) me gjashtë muaj pezullim, për shkak të kaosit që shkaktuan mbas ndeshjes së ndërsjellë në Las Vegas në tetor të vitit të kaluar. Të dy luftëtarët e arteve marciale, veç pezullimit, u dënuan edhe më gjoba financiare – me 50 000 dollarë Makgregori dhe me 500 000 dollarë Nurmagomedovi, ky i fundit më shumë, pasi luftëtari dagestanas u konsiderua si shkaktar kryesor i trazirave të krijuara, gjatë të cilave ai dhe njerëzit e tij sulmuan dhe u konfrontuan fizikisht mbas ndeshjes me njerëzit e stafit të Makgregorit dhe vetë këtë të fundit.
Pezullimet e të dy luftëtarëve të mësipërm do të skadojnë në prill, ndërkohë që ka informacione, sipas të cilëve këta të dy mund të ndeshen edhe një herë mes tyre në muajin tetor të këtij viti.
Sfidanti.al