Petr Çeh s’e bën dot pritjen e fundit, Mbyll karrierën në fund të sezonit

Edhe pak muaj dhe nuk do ta shohim në në portë. Një nga profesionistët më të mirë të futbollit në dy dekadat e fundit, Petr Çeh, do t’i japë fund karrierës në mbyllje të sezonit. Portieri i madh çek, tashmë 36-vjeçar, i thotë stop një periudhe 20-vjeçare, me 15 edicione të kaluar në Premier Ligën e Anglisë.

“U bënë 20 vjet që kur unë firmosa kontratën e parë si profesionit, – deklaroi Çeh në rrjetet sociale, – dhe ndjej se kjo është koha e duhur për t’u tërhequr në fund të sezonit. Pas 15 viteve në Premier dhe pasi fitova gjithçka që mund të fitoja, mendoj se i përmbusha dëshirat e mia”.

Gardiani i famshëm çek pati kulmin e karrierës në muajin maj të vitit 2012, kur ndihoi Çelsin që të fitonte Championsin, në finalen e madhe ndaj Bajernit në Mynih. Një vit më vonë, ai u shpall fitues i Ligës së Europës, po me Çelsin duke mundur në finale Benfikën.

Në Angli, Çeh fitoi 4 tituj kampionë, që të katër me Çelsin, në vitet 2005, 2006, 2010 dhe 2015, tre prej të cilëve me Murinjon, dhe një me Ançelotin. Po ashtu, fitoi pesë Kupa të Anglisë, tri Kupa të Ligës dhe katër Superkupa angleze, në një karrierë vërtet të madhe.

Arsenali reagoi menjëherë pasi mori vesh lajmin, me një postim në rrjetet sociale. “Duam të të themi faleminderit, Petr Çeh, për profesionalizmin, për shembullin që keni dhënë gjithnjë, për 50 ndeshje pa gol, për ndershmërinë, integritetin dhe punën tënde frymëzuese”.

“Një kampion në fushë dhe jashtë saj, – ishte komenti i Çelsit, , – të urojmë një jetë të lumtur pas futbollit, Petr Çeh”. Çeh u bë i pari portier i Arsenalit që mbajti portën për 200 ndeshje të paprekur në Premier Ligë. Po ashtu, ai luajti 124 ndeshje për kombëtaren e tij, Republikën Çeke, duke qenë rekordmen.

Sfidanti.al