Ka vetëm dy shembuj të “Barcelonës së parë”, asaj të Frank Rajkardit dhe pastaj të Pep Guardiolës. Dy përjashtime që quhen Lionel Mesi dhe Pedro Rodrigez, që të dy lojtarë të dalë nga Akademia e Barçës, në rolin sulmues. Argjentinasi është, padyshim, më i miri në historinë e “azulgranëve”, dhe i dyti një sulmues i shkëlqyer me 329 ndeshje dhe 99 gola.
Të tjerë shembuj të suksesshëm nuk ka. Të gjithë sulmuesit e tjerë të dalë nga Akademia më e famshme në botë, La Masia, nuk kanë mundur të luajnë në skuadrën e parë. i fundit që po bie viktimë është Munir El Hadadi, spanjollo-maroken, që trajneri Valverde e ka lënë jashtë planeve të veta, dhe ka dy ndeshje që nuk e grumbullon. Muniri pritet të largohet në verë.
Dështimet e luksit kanë emra të tillë si Bojan Krkiç, Zhovani Dos Santos, Isak Kuenka, Kristian Tejo, Gerard Deulofeu apo Sandro Ramirez. Që të gjithë të afruar me bujë dhe shpresë në skuadrën e parë, por pa mundur të gjejnë vend aty. Me përjashtim të Tejos, të tjerët nuk kanë mundur të bëjnë “hajër” as në ekipet ku shkuan.
Nuk dihet se kur ky mallkim do të prishet dhe se kur sulmuesit e La Masisë do të mundet të kenë sukses në “Kamp Nou”, si Mesi dhe Pedro.
Sfidanti.al