Enes Kanter, një yll i NBA-së në konflikt me presidentin e Turqisë

Nuk mund të ndahet lehtë sporti nga politika, apo nga çështje fetare e shtetërore. Këtë po e vuan Enes Kanter, një nga basketbollistët më të mirë të sotëm turq, që nuk udhëtoi për në Londër, për ndeshjen europiane të NBA-së, të skuadrës së tij Nju Jork Niks. Kanter, një 26-vjeçar imponues me shtatlartësi 2.11 metra, deklaroi se ai nuk mund të shkonte në Londër, sepse mund të vritej nga agjentët e presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

“Më vjen shumë keq që po i lë shokët në baltë, – deklaroi ai, – por, mund të më vrasin shumë lehtë në Londër. Shkak është ky njeri lunatik që është president i Turqisë, një manjak, një diktator”. Më herët, Kanter e ka cilësuar Erdoganin si “Hitlerin e kohës sonë”, ndërsa qeveria turke e akuzon basketbollistin si “terrorist radikal”, ndonëse nuk ka ndonjë provë të ndonjë krimi të bërë apo synuar prej tij.

Shkaku kryesor i konfliktit të yllit të NBA-së me presidentin turk, duket se është miqësia e tij me Fetulla Gylenin, personalitetin fetar turk, që ndodhet me azil politik në SHBA. Për shkak të konfliktit, babai i Enesit, Mehmeti, u pushua nga puna e tij si profesor në sistemin arsimor publik, si dhe u mbajt për 5 ditë në arrest.

Gyleni dhe Erdogani janë të dy nxitës së kthimit të shtetit laik turk në një shtet fetar, madje duke qenë aleatë në kohët e para, por më pas pati konflikt, besohet sepse Erdogani nuk e pëlqente ndikimin e rëndësishëm të organizatës së Gylenit.

Sfidanti.al