Aleksis Sançez nuk shënoi gol, dhe ndoshta kjo ishte një arsye që sikur u mërzit disi në ndeshjen e Kupës së Anglisë ndaj Redingut. Nderi dhe kënaqësia në suksesin 2-0, u takoi Huan Matës me penallti dhe Romelu Lukakut (të rilindur), ndërsa sulmuesi kilen mori si “dhuratë” një zëvendësim nga trajneri Ole Gunar Solskjer.
Krejt i hutuar, a thua se po kryente ndonjë hakmarrje, Sançezi shkoi dhe u ul në stolin e trajnerit, duke mos e kuptuar gabimin. Gjithsesi, Solskjeri, kur u kthye, nuk ia zgjati shumë, por i kërkoi t’i lironte vendin. Aleksisi u ngrit i turbulluar, ndërsa trajneri norvegjez ishte i qeshur, duke u kënaqur me këtë të papritur gazmore. Mançester Junajtid ka 5 fitore radhazi nën drejtimin e Solskjerit, një moment i shkëlqyer pas stresit të madh me Zhoze Murinjon.
Sfidanti.al