Sergio Ramos kërkon respekt pas “ëndrrës së 1000 ditëve”

Dikush do t’i thoshte, “po plakesh, plako”, nëse do të kishte mundësi t’i afrohej. Sergio Ramos nuk duket aspak i vjetër, por të tilla ishin komentet e tij pasi Reali fitoi Kupën e Botës për klubet, për herë të tretë radhazi. “Vërshëllimat ndaj nesh janë të pakonceptueshme, – tha ai, duke shpjeguar mënyrën e festimit pas golit në finalen ndaj Al Ainit, – duhen respektuar figurat e futbollit. Pavarësisht nga vështirësitë, jemi në garë për çdo trofe këtë sezon”.

Kapiteni i madrilenëve e pati fjalën për vërshëllimat e shpeshta në “Bernabeu” këtë edicion, ndërsa tifozët janë të pakënaqur me skuadrën. “Ne fituam një trofe që duhej ta fitonim, – vazhdoi Ramosi, – është një shpërblim prej Championsit dhe është Botërori i tretë radhazi”. Reali kështu vazhdon përrallën e “1000 ditëve”, pasi u bënë 3 vjet radhazi që dominon Botën.

Në stadiumin kryesor të Emirateve të Bashkuara Arabe, kampionët e Europës fituan 4-1 ndaj vendasve të Al Ainit, me gola të shënuar nga Luka Modriç, Markos Jorente, Sergio Ramos. Shiotani shkurtoi diferencën për vendasit, por Nader shkaktoi autogol për rezultatin final. Ky ishte trofeu i parë për trajnerin Santiago Solari.

Sfidanti.al