De Laurentis nuk tundohet as nga mali me para për Kulibalin

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, hodhi poshtë një ofertë tjetër të majme për shitjen e mbrojtësit qëndror, Kalidu Kulibali, njofton media italiane, sipas secilës vlera e ofertës ishte 105 milionë euro. Nëse kjo ofertë do të ishte pranuar, atëherë, sipas medias në fjalë, ky futbollist 27-vjeçar nga Senegali do të bëhej mbrojtësi më i shtrenjtë në historinë e futbollit, ndërkohë që, tani për tani, rekordin e mban futbollisti holandez Virxhil Van Dajk, për të cilin Liverpuli pagoi 78.8 milionë euro.
“Ne jemi një klub që mund të hedhim poshtë edhe oferta të pasura. Ne hodhëm poshtë një ofertë prej 105 milionë eurosh për Kulibalin, madje me një vlerë që deri tani nuk është ofruar për asnjë mbrojtës në botë”, vuri në dukje presidenti i Napolit.
Nuk përmendet emri i klubit që ka dërguar ofertën e mësipërme, por, sipas medias italiane, ka shumë mundësi që këtë ofertë ta ketë dërguar Mançester Junajtid që ka treguar vazhdimisht interes për këtë mbrojtës stoper shumë të mirë.
Sfidanti.al