Fjala ishte për një klub misterioz, që duhej të ishte Mançester Junajtid, dhe për një trajner misterioz, që duhej të ishte Zhoze Murinjo. Kjo dyshe, së bashku me Adidasin, sipas mediave, i kanë ofruar Mesit 100 milionë euro rrogë në vit, vetëm që të mos rinovonte kontrarën me Barcelonën. Njëri nga “të zotët e punës” pikërisht Murinjo, ka folur, dhe lexoni çfarë ka thënë. “Shpresoj që Mesi të mos largohet kurrë nga Barcelona, – ishin fjalët e trajnerit të Junajtidit, para ndeshjes së Ligës së Europës, – ai i përket Barcelonës dhe dua që ta përfundojë karrierën aty”.
“Çdo vit është po kjo histori me Mesin, – vazhdoi Mou, – gjithmonë thuhet se do të largohet, por përfundimisht nuk ikën. Mendoj se do ta përfundojë karrierën në Barcelonë, ndonëse ky është thjesht mendimi im”. Gjithsesi, është edhe një “misterioz” tjetër, Pep Guardiola, që përflitet se jep 233 milionë euro për operacionin e kalimit të argjentinasit tek Mançester Siti.