Mosha bën të vetën, por Zllatan Ibrahimoviç ende nuk e ndjen aq shumë. Suedezi është 35 vjeç, por karriera e tij është e sigurt se do të vazhdojë të paktën edhe një sezon tjetër në nivele shumë të larta. Trajneri i tij tek Mançester Junajtid, Zhoze Murinjo, ka deklaruar se sulmuesi me origjinë boshnjake do të vazhdojë në “Old Traford”, edhe edicionin e ardhshëm.
“Situata e Zllatanit është shumë e thjeshtë, – iu përgjigj trajneri interesimit të mediave,- ai ka kontratë për këtë vit me Junajtidin, dhe një opcion për ta rinovuar për një vit tjetër, gjë që ne do ta bëjmë”. Portugezi nga Setubali theksoi se Ibra është i lumtur në Mançester dhe beson se kjo do të jetë etapa e fundit e karrierës së tij të shkëlqyer. Deri tani, suedezi nuk ka dhënë atë që pritej ndonëse ka shënuar 8 gola në 17 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ndërsa besohet se ka thënë që ky Mançester Junajtid është më i dobët sesa Paris SG ku ai luajti deri sezonin e kaluar.