Elbasani vazhdon të jetë në vështirësi, pavarësisht se thuhet për një kalim të klubit në pronësi të një kompanie angleze. Madje tashmë ekipi është braktisur edhe nga tifozët, të cilëve duket se u ka mbaruar durimi me këtë emër dikur të madh, por që vitet e fundit përpëlitet në fund të tabelës së klasifikimit, gati për ta lënë edhe Kategorinë e Parë. Në ndeshjen e sotme ndaj Pogradecit, megjithëse ishte shumë e rëndësishme për verdhezinjtë e drejtuar nga Dosti, në shkallët e “Elbasan Arenës” nuk ishin më shumë se 100 tifozë, ndërsa për të arritur maksimumin e pikëve, ndikoi edhe arbitri Helidon Halo.
Në të 44’, për një ndërhyrje mëse të rregullt të portjerit Lamellari të Pogradecit, ndaj Kasës, arbitri vërshëlleu 11 metërsh, që u kthye më pas në gol nga Toçi. Në të 49’, Topllari godet drejt portës vendase, ndërsa devijimi i Kaçulit e nxjerr jashtë loje Kotorin dhe 1-1. Ndërsa për të vulosur avantazhin e vendasve mendon po Toçi, këtë rradhë pas një goli të bukur. Me këtë fitore, Elbasani ngjitet në kuotën e 9 pikëve, një më pak se Pogradeci dhe një më shumë se Turbina e Sopoti, skuadrat që mbyllin tabelën e klasifikimit.