Lysien Favr, Jyrgen Klop dhe Tomas Tuhel. Çfarë i lidh këta tre trajnerë? Sigurisht që i lidh Borusia e Dortmundit. I pari është trajneri aktual i saj, kurse dy të tjerë janë ish-trajnerë të saj. Interesant është fakti se të tre të lartpërmendurit janë bërë hite në pesë ligat kryesore evropiane.
Lysien Favr në krye të Borusias ndodhet në vend të parë të Bundesligës me 11 fitore, tre barazime dhe asnjë humbje. “Milionerët” kanë shtatë pikë më shumë sesa Borusia e Mynshengladbahut e vendit të dytë dhe nëntë më shumë se Bajerni i Mynihut. Dortmundi për herë të fundit e ka fituar Bundesligën më 2011-2012, ndërkohë që atëkohë mbas 14 ndeshjesh kishte 26 pikë, kurse tani mbas aq ndeshjesh ka 36 pikë. Nuk është ekipi që ka shënuar më shumë gola, por është ai që ka pësuar më pak – 14.
Jyrgen Klop është bërë një hit më vete në Liverpul. Mbas 16 raundesh, të kuqtë e tij kryesojnë Premier Ligën, duke pasur një pikë më shumë se Mançester Siti i vendit të dytë. Edhe Liverpuli, si Dortmundi, është i vetmi ekip në Premier Ligë që nuk ka pësuar asnjë humbje dhe ka pësuar më pak gola – gjashtë.
Tomas Tuhel në krye të PSZH-së, me të vërtetë, po i “shkel me këmbë” të gjithë ekipet e tjerë të Ligës së 1-rë franceze dhe mbas 16 raundesh ekipi i tij ka shënuar 14 fitore dhe vetëm dy barazime, madje ndodhet 13 pikë para Lilit të vendit të dytë! Tanimë është mëse e qartë se titulli i kampionit të Francës do të mbesë në vitrinën e këtij klubi parisien dhe tani duhet pritur që të shihet, nëse PSZH-ja do të arrijë që të thyejë rekordet për numrin më të madh të golave të shënuar në një sezon, për diferencën më të madhe të golave të shënuar e të pësuar dhe pikët që do të grumbullojë. Deri tani, golaverazhi është 49-10.
Sfidanti.al