Nuk e përmbajti dot veten kur goli erdhi pa u shpresuar fare, në minutën e gjashtë shtesë. Jurgen Klop doli nga vetja, apo më mirë të themi “ishte vetvetja”, kur me të përfunduar topi në rrjetën e Evertonit, vrapoi si i çmendur përgjatë gjysmës së fushës derisa u përqafua me portierin Alison. U fitua derbi në 96’, u mbajt diferenca prej vetëm 2 pikësh me Mançester Sitin “e plotfuqishëm”, që është në krye të renditjes së Premier Ligës, ndërsa historia e pathyeshmërisë vazhdon. Plot 11 fitore, 3 barazime, 0 humbje.
Pas ndeshjes, dhe i qetësuar, Klop deklaroi se i kërkoi falje kolegut të tij, trajnerit të Evertonit, Marko Silva. “Padyshim që folëm me të, i kërkova falje për festimin tim, pasi nuk ishte diçka edhe aq e bukur, por nuk munda ta përmbaja veten”, – ishin fjalët e tij. Veçse, Silva, deklaroi të kundërtën. “Jo, Jurgen Klopi nuk më kërkoi falje, madje unë as nuk e vura re se çfarë bëri ai, – u shpreh evertonasi, – nuk mund të them nëse ishte mungesë respekti, sepse nuk e kam parë”. Ndoshta nuk do të merret vesh kurrë nëse Klopi kërkoi apo jo falje.
Liverpuli fitoi 1-0 me gol të Divok Origit në minutën e 96-të, pas gabimit fatal të portierit të Evertonit dhe të Anglisë, Xhordan Pikford, dhe ka 36 pikë në renditje, ndaj 38 të Sitit kryesues.
Sfidanti.al