Qenka “infektuar” edhe Xhema, pse ka dyshime për ndershmërinë?!

Kush ndoqi konferencën për shtyp të prezantimit të trajnerëve të rinj të kombëtareve të moshave, nuk mund të mos jetë habitur me disa fjalë të atij që tashmë është drejtori i tyre, Xhemal Mustendanagiçit. “Trajneri duhet të jetë në radhë të parë i ndershëm, – ishin fjalët e tij, – i ndershëm ndaj lojtarëve, ndaj federatës, ndaj kombëtares dhe ndaj vetes”. Më tej, Xhema shtoi edhe diçka tjetër që “në kombëtare, nga jashtë, do të vijnë vetëm talentet më të mira”.

Çfarë paska ndodhur që boshnjaku të kujtojë “ndershmërinë” në shtëpinë e Federatës? Mos do të thotë se ai dyshon për ndershmërinë e trajnerëve të kaluar të kombëtareve? Po, ajo fjala tjetër që “duhet të vijnë vetëm talentet kryesorë”? Pse, deri tani, kombëtaret kanë qenë “han pa porta” që ka ardhur kushdo? Dhe, padyshim që ata që kanë ardhur janë pranuar për ndjenjë patriotike, për ta bërë gjithë kombin shqiptar futbollist.

E vërteta është se kohët e fundit ka pasur shumë akuza e dyshime për përzgjedhjet në kombëtaret e moshave, dhe shumë prindër e trajnerë të njohur kanë folur për shifra me euro. Ndoshta, Xhema është “infektuar” nga klima e përgjithshme.

Sfidanti.al