Çelsi, Arsenali e Lacio “kalojnë klasën” në Ligën e Europës

Shtatë skuadra nuk patën nevojë për dy ndeshjet e fundit në grupe, për të siguruar kualifikimin. Kjo ishte përgjigja e javës së katërt të Ligës së Europës, ndërsa emra të njohur si Çelsi, Arsenali e Lacio kapërcyen “pengesën”, e bashkë me ta, edhe Ajntrahti i Frankfurtit, Leverkuseni, Zyrihu e Dinamo e Zagrebit.

Blutë e Londrës patën nevojë për golin e parë të Zhirusë në 5 muaj, për të ruajtur serinë e fitoreve, 4 në 4 ndeshje, ndërsa kaluan BATE-n në Borisov të Bjellorusisë.

Ajntrahti i Frankfurtit, po ashtu, mbajti të pastër kolonat e statistikave, 4 fitore, 0 barazime, 0 humbje, dhe me golat 11-4, ndërsa në këtë grup u kualifikua edhe Lacio që mundi 2-1 Marsejën. Tomas Strakosha ishte titullar, ashtu si Riza Dyrmishi, ndërsa Valon Berisha hyri si zëvendësues për italianët.

Arsenali nuk mundi të merrte më shumë se një barazim pa gola në “Emirejts” me Sportingun e Lisbonës, që u mbajt edhe me 10 lojtarë, por londinezët “prenë biletën” me 10 pikë, sepse Karabaku azerbajxhanas fitoi 1-0 në fushën e Vorsklës së Poltavës në Ukrainë.

Milani, ndërkaq, shpëtoi mirë në fushën e Betisit falë golit të Susos, por kualifikimi mbetet në rrezik. Olimpiakosi i Pireut mundi Dudelanzhin 5-1 dhe derbin me Milanin e ka në Greqi, ndërsa në tabelë janë të dy ekipet me nga 7 pikë, ndaj 8 të Betisit.

E veçantë arritja e kryesimit në grup nga Astana e Kazakistanit, me pikë të barabarta me Dinamon e Kievit, nga 8. Astana mundi 2-1 Jablonecin e Çekisë, dhe është pranë kualifikimit, ashtu si edhe Dinamo që triumfoi 3-1 në Kiev ndaj Renës së Francës.

Sfidanti.al