Le ta harrojmë Xherdan Shaqirin dhe çdo gjë tjetër jashtë futbollit. Këtë herë, le të merremi me “gjënë më të rëndësishme, nga të parëndësishmet në botë”, pra lojën më popullore, të cilën e nderoi Crvena Zvezda me futbollin e saj, duke mundur 2-0 jo më pak se vetë nënkampionen e Europës, Liverpulin.
Milan Pavkov ishte heroi, duke errësuar lavdinë e Salahut, Manesë e Firminos, dhe mediat beogradase me të drejtë theksonin se “ky është suksesi më i madh i Zvezdës që nga viti 1991, kur u shpall kampione e Europës në Bari”.
Skuadra serbe i dha leksion për herë të dytë “të kuqve” anglezë, në historinë e kupave të Europës. Herën e parë e kishte bërë në 1973, në kohën e Açimoviçit, Lazareviçit, Baraliçit apo Karasit, dhe të trajnerit Miljan Miljaniç, dhe vetë mediat britanike shkruan se “që nga ajo kohë, Liverpuli ndryshoi mentalitetin në Europë”. Ia doli përsëri, kur askush nuk e priste.
Mund të themi pa frikë se gabojmë se Zvezda luajti “futbollin rokenroll”, ashtu si edhe tifozët e saj, ndërsa Liverpuli nuk ia doli ta bënte “vallen” hevi metëll (Heavy Metal).
Sfidanti.al