Kapiteni legjendar i Barcelonës, Çavi Hernandez, në një deklaratë të tij të fundit vuri në dukje se ai është shumë i shqetësuar për situatën e krijuar në akademinë e njohur të futbollit La Masia të Barcelonës, sidomos tani mbas largimit të drejtorit të metodologjisë së saj, Joan Vila.
Vila është figura kryesore e zhvillimit të lojës së famshme të Barcelonës me shumë pasime, të njohur ndryshe si “tiki-taka”. Duke aplikuar këtë mënyrë lojë, të zhvilluar nga Vila, shumë futbollistë të rinj të shkollës së lartpërmendur erdhën në ekipin e parë dhe e bën Barcelonën një nga ekipet më të mirë në botë.
Çavi dhe ish-mbrojtësi i njohur i Barcelonës Karles Pujol e kanë theksuar në disa raste rëndësinë e Vilës në të gjithë projektin e Barçës, por profesori metodolog Joan, 64 vjeç, u largua kohët e fundit nga “Kamp Nou”, pasi priti më kot një marrëveshje të re nga Barcelona.
“Unë jam mjaft i shqetësuar mbas largimit të Vilës. Nuk e kuptoj se përse e lanë të ikë, çfarë do të bëjë klubi pa një metodolog të tillë të madh, përse nuk i ofruan marrëveshje të re? Nuk e kuptoj. Barcelona mund të zhvillohet vetëm me njerëz të tillë si Joan Vila”, tha ish-kapiteni i Barcelonës.
Sfidanti.al