Xherdan Shaqiri ndaj Zvezdës është lajm, dhe pse jo në Beograd

Pritej që ai të ishte në qendër të vëmendjes për faktin nëse do të udhëtonte apo jo për në Beograd, dhe nëse do të ishte në fushë në “Marakana”ndaj Crvena Zvezdës. Xherdan Shaqiri, sidoqoftë, nuk lejoi që historitë jashtë futbollit të ishin më të rëndësishme sesa vetë loja, duke merituar lavdërimet me zë të lartë të trajnerit të tij, Jurgen Klop, pas ndeshjes me serbët në “Anfild”.

“Shaqiri bëri shprehimisht gjithçka në fushë, – tha gjermani, – sidomos në momentet vendimtare. Fitoi topin e golit të parë, pasoi në mënyrë fantastike. Një lojtar shumë i këndshëm që, padyshim, na ndihmon shumë”. Shqiptari i Zvicrës u vendos në mesfushë, një rol i ri për të, të cilin ai e plotësoi më së miri.

Klopi theksoi se “Shaq” kishte shumë punë për të bërë dhe se ai hodhi poshtë reputacionin sikur është dembel. “Në ndeshje të tilla duhet shumë punë dhe Shaqiri ia doli për bukuri, – tha trajneri liverpulas, – ai duhej të vraponte për të qenë sa më shpejt në pozicione të ndryshme”. Ish-lojtari i Liverpulit, Mekmanaman, dhe ish-ylli i Junajtidit, Rio Ferdinand, e lavdëruan gjithashtu shumë Xherdanin. “Shaqiri është jo vetëm një përforcim për Liverpulin, por ai po tregon se mund të luajë në disa pozicione, aftësia e tij për të pasuar është fantastike”, – thanë ata.

Sfidanti.al