Vitet e fundit, Barcelona e “tiki takës” mori tre goditje të forta që thuajse e shpërfytyruan. Fillimisht, u largua Ksavi, pastaj Nejmar dhe këtë verë iku Iniesta. Bukuria e lojës në fushë u zbeh dhe publiku e ndjeu, ndërsa sukseset (sidomos në Spanjë) u arritën falë një njeriu të vetëm, Lionel Mesit.
Tashmë, duket se klubi katalanas e ka gjetur “gurin” që i mungonte në “mozaik”. Ky është braziliani Artur, i cili po rikujton klasin e Ksavi Hernandezit. Në sondazhin para ndeshjes me Interin, tifozët votuan që Artur duhej të ishte në formacion, ndërsa në minutën e 77-të e treguan edhe një herë ndjenjën për të, duke vërshëllyer fort trajnerin Valverde që po e zëvendësonte me Arturo Vidalin.
Me Arturin, Barça është sërish në zotërim të ndeshjeve, duke rikuperuar aftësinë për të mbajtur topin, si dikur. Pa këtë element, tiki taka nuk ka kuptim. Me kthimin e Mesit, duket se gjithçka do të jetë në rregull, ndërsa në fushë janë edhe Buskets, Kutinjo apo Suarez.
Sfidanti.al