Më parë ishte barazimi pa gola në shtëpi ndaj Francës, ndërsa e dyta erdhi katastrofa ndaj Holandës, 0-3. Në grupin me 3 skuadra në Ligën e Kombeve, do të thotë se gjermanët me shumë gjasë do të dalin në vend të tretë dhe do të zbresin një kategori më poshtë, nga niveli A në atë B.
Gjashtë humbje në 10 ndeshjet e fundit nuk janë një statistikë për një skuadër që ishte kampione e botës deri në qershor të këtij viti, por realiteti është pikërisht ky. “Pa ide, pa forcë, pa qartësi”, ishin fjalët që thanë për veten, yjet gjermanë si Kros apo Draksler pas ndeshjes në Amsterdam.
“Ne kemi humbur besimin, – ishte analiza e Joakim Lëvit, – problemi ynë më i madh është që nuk po shfrytëzojmë rastet. Mund të kishim kaluar të parët në avantazh, patëm disa mundësi gjatë ndeshjes, dhe gjithçka do të kishte shkuar ndryshe”.
Lëv ishte në stol në ndeshjen numër 168 si trajner i Gjermanisë, një rekord kombëtar, por ky jubile përfundoi keq, ndërsa holandezët arritën fitoren më të thellë në histori ndaj rivalëve, me golat e shënuar nga Van Dajk, Depai dhe Vajnaldum. Gjithsesi, në Gjermani pak besohet se trajneri do të vihet në diskutim, pasi kjo nuk do të ishte aspak “gjermane”.
Sfidanti.al