Seria A e ka mrekullinë e saj, quhet SPAL i Ferrarës!

Deri dy vjet më parë, njihej në të gjithë botën kryesisht si qendër e mbrojtur nga UNESCO për traditën e saj kulturore. Qyteti i Ferrarës, me më pak se 150 000 banorë, sot është bërë i dëgjuar nga skuadra e tij e futbollit, e quajtur SPAL (Shoqëria Shumësportëshe Art dhe Punë). Fitorja në javën e fundit të Serisë A ndaj Atalantës, bëri që për momentin SPAL-i të jetë ekipi anti-Juventus, i pozicionuar në vendin e dytë në renditje.

Trajneri Leonardo Sempliçi (mbiemër që përkthehet “i thjeshti”) ka krijuar një grup simpatik pas një pune 4-vjeçare, e cila kulmoi fillimisht me ngjitjen në Serinë A në 2017, luftën me sukses për mbijetesë, dhe për ambiciet shumë më të mëdha këtë vit. Sulmuesi Andrea Petanja, i huazuar pikërisht nga Atalanta, shënoi dy golat ndaj bergamaskëve të Etrit Berishës dhe Berat Gjimshitit.

Klubi modest, që u kthye në elitë pas 47 vitesh, punoi me vetëm 8 milionë euro buxhet në sezon në Serinë B, ndërsa tani besohet se ka arritur në mbi 30 milionë, gjithsesi, një shifër tepër modeste për Serinë A.

Sfidanti.al