Bordoja në kaos, trajneri Poje është i pezulluar apo i shkarkuar?!

U mendua se mbrëmja e së enjtes do të ishte lehtësuese për Zhirondins të Bordosë. Skuadra franceze ia doli të eleminonte Mariupolin e Ukrainës dhe kaloi në plej ofin e Ligës së Europës, por kur trajneri Gustavo Poje doli në konferencën për shtyp, ndodhi e pabëra.

“Ju më pyesni a jam i lumtur pas fitores, – u tha ai gazetarëve, – jo, nuk jam i lumtur. Sapo na është larguar një lojtar si Gaetan Labordi, dhe unë nuk dija asgjë. i kërkova klubit ta mbanim derisa të gjenim një tjetër, por kjo nuk ndodhi. Do flas me agjentin tim dhe do të marr një vendim, klubi duhet të më japë një sqarim, ndërsa nuk mendoj se do të vazhdoj punën këtu”.

Pas këtyre fjalëve, Poje u largua me vrull nga salla e konferencës, duke e vënë klubin nën trysni të madhe. Duhej marrë një vendim, dhe presidenti Stefan Marten u takua me trajnerin, diçka që zgjati vetëm 10 minuta. Klubi njoftoi se e pezulloi trajnerin për 1 javë, por mediat thonë se është një shkarkim. Një kaos i vërtetë tek një skuadër e njohur si Bordoja.

Sfidanti.al