Pep Guardiola në ndjekje të 49 trofeve të Sër Aleks Fergusonit

Një tjetër fitore dhe një tjetër trofe. Pep Guardiola ishte sërish fitues me Mançester Sitin e tij që mposhti 2-0 Çelsin në finalen e Superkupës së Anglisë, të quajtur ndryshe “Çeriti Shild”. Suksesi 2-0 në “Uembli”, me golat shënuar nga Kun Aguero, i dhuroi trajnerit 47-vjeçar, suksesin e radhës, titullin e 25-ët në karrierën e tij të lavdishme. E gjitha kjo në vetëm 11 vjet në stol.

Përballë kampionëve në fuqi të Anglisë, edhe Çelsi i Mauricio Sarrit  u duk i vogël, një provë më shumë e aftësisë profesionale të Guardiolës. “Dua t’i bëj komplimentet më të mëdha lojtarëve të mi, – tha katalanasi pas finales, – Ishte shumë nxehtë, disa prej tyre nuk ishin stërvitur sa duhet, por sërish ata treguan se janë kampionë, se janë fitues dhe se ata janë krenaria ime”.

Ky ishte trofeu i tretë i Pepit në stolin e të mbiquajturve “Qytetarët e Mançesterit”, pas titullit kampion dhe Kupës së Ligës fituar edicionin e kaluar. Ai nisi sukseset me Barcelonën, ku mori 14 kupa të ndryshme, përfshi 3 La Liga e dy Champions, ndërsa pati një trofe me Barcelonën C, në kategorinë e tretë Nuk zhgënjeu me Bajernin, edhe pse nuk e mori dot Ligën e Kampionëve, ndërsa u detyrua të kënaqej me 7 tituj, mes të cilëve 3 Bundesliga.

Pak trajnerë mund të mburren se kanë fituar më shumë se ai, dhe ëndrra e tij është të barazojë Sër Aleks Fergusonin që ka fituar plot 49 tituj me Aberdinin e Mançester Junajtidin. Guardiola ka qenë edhe një lojtar i madh, dhe ka fituar 14 trofe në karrierën, me Barcelonën si dhe titullin olimpik me Spanjën në 1992.

Sfidanti.al