Njeriu nr.1 i Bajernit të Mynihut, Karl-Hainc Rumenige, e kritikoi federatën gjermane të futbollit për amatorizëm në punën e saj, duke theksuar se ajo e ka fajin kryesor për eliminimin shokues të parakohshëm të përfaqësueses gjermane në Kupën e Botës së Rusisë. Sipas ish-pjesëtarit të manshaftit gjerman, zgjidhje e vërtetë tani është FilipLamqë, si një ish-kapiten i përfaqësueses, mund të ketë një ndikim të madh pozitiv në punën e federatës.
“Unë mendoj se Filip Lami dhe agjenti i tij, Roman Gril, janë të përgatitur që të përballojnë çdo sfidë dhe të arrijnë rezultate pozitive. Filipi mund të punojë në federatë dhe një gjë e tillë do të jetë e dobishme për të gjitha palët”, vuri në dukje Rumenige, duke e kritikuar kryesinë e tanishme të federatës gjermane për punë të dobët, por, sidoqoftë, ai e mbështeti trajnerin e përfaqësueses gjermane, Joakim Lëv.
“ Lëvit duhet t’i jepet edhe një shans tjetër, pasi ai ka arritur rezultate fantastike gjatë 12 viteve të fundit. Sidoqoftë, unë nuk e kuptoj sesi kjo federatë mund të ecë përpara, pasi ajo drejtohet nga disa amatorë klasikë”, tha Rumenige.
Sfidanti.al