Shahisti rus Karjakin e kishte parashikuar skenarin e eliminimit të Spanjës

Mjeshtri i madh rus, shahisti Sergej Karjakin, që vjet luajti për kampion bote me mjeshtrin e madh norvegjez, Magnus Karlsen, e ndoqi ndeshjen mes Rusisë dhe Spanjës nga tribuna e stadiumit “Lluzhnjiki” të Moskës, duke u gëzuar pa masë, ashtu si edhe të gjithë tifozët rusë, mbas kualifikimit të Rusisë midis tetë ekipeve më të mirë të këtij kampionati botëror, pasi ajo eliminoi Spanjën me penallti.
“Sport Ekspresi” vinte në dukje sot se ai e kishte parashikuar kualifikimin e Rusisë për në çerekfinale të Botërorit, duke u mbështetur te përvoja e tij, pra duke bërë një paralelizëm të ndeshjes së lartëpërmendur me matçin e tij për titullin e kampionit të botës me Karlsenin.
“Kjo ndeshje ishte si matç im me Karlsenin. Askush nuk më kishte llogaritur mua, por unë numrin më të madh të ndeshjeve arrita që ta nxirrja barazim. Për këtë arsye, unë llogarita se ndeshja mes Rusisë dhe Spanjës do të dilte në barazim, se çdo gjë do ta zgjidhnin penalltitë dhe se do të ishin tanët që do të kualifikoheshin”, tha mjeshtri i madh rus i shahut.
Sfidanti.al