Tifozët kudo, kanë të njëjtën ndjenjë. Të lumtur e me shpresë, por argjentinasit janë edhe me shqetësim përpara Francës. Ata që janë në Rusi po e mbështesin sa mundet kombëtaren. Në Buenos Aires, 14 000 km larg Kazanit, tifozët janë edhe më të tensionuar, ndërsa kanë besim të plotë tek superylli i tyre, Mesi.
Skuadra ndërkaq, po përgatitet, dhe trajneri Sampaoli besohet se mund të luajë sërish me skemën, 4-4-2, si ndaj Nigerisë, diçka që i përshtatet Mesit, pasi kështu ka luajtur edhe tek Barcelona së fundmi. Perez është në dyshim, dhe në vend të tij mund të luajë Pavon. Protagonistët kryesorë argjentinas janë izoluar. Para medias dolën mesfushori Lo Selso, dhe mbrojtësi Fazio, të cilët vlerësuan Francën, por theksuan se Argjentina kërkon kualifikimin.
Është ndeshje-kyç për ambiciet e Mesit që të dalë kampion i botës, por edhe të Didie Deshampit, trajnerit të Francës, që duhet ta fitojë një trofe. Ndaj Argjentinës, Deshamp vendos rekordin me 80 ndeshje në stolin francez, por ende nuk i ka ngjarë Henri Mishelit, Aime Zhakesë apo Rozhe Lemerit.
“Argjentina është një kundërshtar shumë i vështirë, sepse është i paparashikueshëm, – shprehet ai, – Ka përvojë të madhe, dhe jo më kot është nënkampione e botës. Gjithsesi, ne jemi të përgatitur. Mendoj se kemi gjithçka për të fituar”.
Gjithsesi, tifozët nuk janë të kënaqur, sidomos pas ndeshjes me Danimarkën, dhe kërkojnë më shumë nga skuadra e tyre. Franca ka bilanc pozitiv ndaj ekipeve nga Amerika Latine, me 8 ndeshje në botërorë pa humbje ndaj tyre, veçse ekipi i fundit amerikanojugor që i ka eleminuar, ishte Argjentina e vitit 1978.
Sfidanti.al