Pa Gjermaninë dhe me gola shqiptarë, një Botëror vërtet i veçantë

Është mbyllur vetëm një fazë, por Botërori ka qenë si asnjë tjetër. Një eleminim i madh ndodhi që në grupe, ndoshta ai që pritej më pak, i Gjermanisë. Kampionët në fuqi, katër herë fitues të kupës së artë, u kthyen në shtëpi pas humbjes me Korenë e Jugut, e para herë që i ndodhi në 80 vjet. Me Italinë e Holandën që nuk ishin fare në Rusi, Gjermania u bë viktima e parë e madhe.

Argjentina e Lionel Mesit iu afrua shumë këtij fati, por iu shmang vetëm 4 minuta para fundit, kur një golshënues i panjohur dhe i papritur, mbrojtësi Markos Roho shënoi golin e fitores ndaj Nigerisë. Gjigandët nga Amerika e Jugut u turpëruan keq nga Kroacia, të mundur 0-3, si dhe u mbajtën në barazim nga Islanda e vogël. Mesi e pati shumë të vështirë, por e la një shenjë duke shënuar ndaj Nigerisë.

Brazili u duk pretendenti më bindës ndaj gjithë atyre që u parashikuan të tillë. Edhe pse u ndalën në barazim nga Zvicra, edhe pse fituan vetëm në minutat shtesë ndaj Kosta Rikës, pesë herë kampionët e botës treguan nivel të lartë herë pas here, falë përvojës se yjeve të mëdhenj në përbërje.

Kandidatët e tjerë për titull nuk është se ngrohën shumë. Spanja u trondit nga largimi i trajnerit  Lopetegi, ndërsa kampionët e saj me shumë emër dhe përvojë, u dukën të lodhur e pa dëshirë. Formacioni i trajnerit Hierro rrezikoi shumë, dhe duhet të ndryshojë nëse dëshiron të ketë sukses. Edhe më dobët Franca. Me më shumë yje ndoshta sesa çdo ekip tjetër, francezët nuk bindën aspak me lojë, ndonëse nuk rrezikuan kualifikimin në një grup relativisht të lehtë.

Vetëm 3 ekipe morën pikë të plota në grupe. Belgjika, Kroacia dhe Uruguaj ishin të tillë, edhe pse përshtypje më të madhe për lojën e zhvilluar bënë belgët dhe kroatët. Për Këpucën e Artë, pra për golshënuesin më të mirë, duket se do të luftohet shumë. Harri Kejn kryeson me 5 gola, ndjekur nga Kristiano Ronaldo e Romelu Lukaku me nga 4.

Është po ashtu një botëror nën shenjën e shqiponjës. Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri festuan në mënyrë shqiptare golat e shënuar për Zvicrën ndaj Serbisë, në një ndeshje të veçantë për ta. Pati polemika, kritika e lavdërime, por jo pezullim nga FIFA. Lojtarët me origjinë shqiptare kanë shënuar 4 gola në grupe. Xhaka, Shaqiri e Blerim Xhemaili për Zvicrën dhe Adnan Januzaj për Belgjikën.

Sfidanti.al