Sa shumë vëllezër në Botëror, Belgjika mburret me dy Hazarët

Janë thjesht çifti i fundit. Vëllezërit në Botëror është prej kohësh një pjesë e filmit, dhe Eden e Torgan Hazar thjesht i shtojnë traditës edhe një episod. Djemtë e së njëjtës familje janë pjesë e Belgjikës, njërës prej skuadrave më të talentuara. Edeni është më i talentuari, por edhe Torgani nuk dëshiron të mbetet pas. Në Rusi kemi edhe dy vëllezër të tjerë. Zhonatan e Zhovani Dos Santos janë pjesë e Meksikës, ekipit që shtangu Gjermaninë duke e mundur në ndeshjen e parë.

Vëllezërit më të njohur të Kupave të Botës janë nga Gjermania dhe Anglia. Fric e Otmar Valter (në foto) u shpallën kampionë të botës në 1954 në Zvicër, pas fitores së Gjermanisë Perëndimore në finalen ndaj Hungarisë. Bobi e Xheki Çarlton po ashtu dolën kampionë në Botërorin e vitit 1966 në radhët e Anglisë. Bobi bëri më shumë histori duke qenë për shumë kohë rekordmen i golave, por edhe Xheku nuk mbeti shumë prapa.

Të shquar, Vili e Rene Van de Kerkov, vëllezërit holandezë, pjesë e skuadrës në Kupat e Botës 1974 e 1978. Si dyshe ranë më shumë në sy në Argjentinë, ku Holanda arriti finalen e dytë radhazi, për të humbur për të dytën herë radhazi. Gjermania Perëndimore pati edhe vëllezërit Bernd e Karl-Hajnc Forster në Kupën e Botës 1982 në Spanjë. Po ashtu, Holanda, kishte një çift më të fundit, dhe po ashtu tepër të talentuar. Frank e Roland de Bur luajtën për “tulipanët në Botërorët 1994 e 1998.

Gjermania e bashkuar u përfaqësua nga Zherom Boateng ndërsa vëllai i tij, Kevin Prins Boateng, luajti dy Botërorë për Ganën.

Danimarka kishte dy vëllezër të ndryshëm, por të famshëm, në Botërorin 1994. i shquar sidomos Mikael Laudrup, i cilësuar prej shumëkujt si njëri nga më të mirët në botë për të gjitha kohët. Brajani gjithashtu dha shumë për Danimarkën

Duke mbetur tek Europa kemi vëllezërit Kovaç të Kroacisë, Nikon e Robertin, që ishin krah për krah në Kupën e Botës 2002 në Japoni e Kore të Jugut. Po në kontinentin e vjetër, kanë qenë David e Filip Degen, pjesë e Zvicrës në Botërorin 2006.

Disa çifte edhe nga Afrika. Andre Kana Bijik e Fransua Omam Bijik përfaqësuan Kamerunin në Kupat e Botës 1990 në Itali dhe 1994 në Amerikë. Hosam e Ibrahim Hasan ishin me Egjipt në Italia 1990. Andre e Xhordan Aje ishin pjesë e Ganës në Kupën e kaluar të Botës, Brazil 2014. Kolo e Jaja Ture, tepër të njohur edhe në Europë si lojtarë të Barcelonës, Sitit apo Arsenalit, ishin për Bregun e Fildishtë në 2010 e 2014.

Së fundi, kemi vëllezërit nga Hondurasi, Uilson e Xhoni Palasios që luajtën po ashtu në dy kupa të botës, në 2010 e 2014.

Sfidanti.al